Dobi dhe këshilla - Hoxhë Lulzim Perçuku
1.75K subscribers
356 photos
20 videos
13 files
993 links
Dobi dhe këshilla nga hoxhë Lulzim Perçuku
Download Telegram
💥Shkëndijë përkujtuese

Besimi
Besimtari duhet ta dijë se veprat janë prej imanit (besimit). Besimi te ehli suneti është: besim me zemër, shqiptim me gjuhë dhe veprim me gjymtyrë. Andaj, për besimtarin nuk ka gjë më të shtrenjtë sesa besimi i tij. Për shkak të besimit hyn në xhenet dhe shpëton nga zjarri. Kjo është e ardhmja e sigurt e çdokujt prej njerëzve. Shumë njerëz thonë: “Duhet punuar për të ardhmen time!", duke pasur për qëllim të ardhmen në këtë botë, të studiojë, të arrijë në karrierë etj. Por, e ardhmja e sigurt për çdo njeri është bota tjetër (ahireti). Për të duhet punuar. Nuk ka gjë e cila të shpëton në botën tjetër sesa besimi. Përderisa veprat janë prej besimit apo pjesë e tij, duhet shtuar sa më shumë prej tyre në mënyrë që ta shtosh besimin tënd. Besimi shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me vepra të këqija, me gjynahe. Besimi i besimtarit është sikurse pema. Nëse nuk e ujit vazhdimisht, ajo thahet derisa të shuhet. Po kështu është dhe besimi. Nëse nuk e "ujit" vazhdimisht me vepra të mira, ai zvogëlohet duke mbetur vetëm baza e tij.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
💥Shkëndijë përkujtuese

Ajo që kërkohet karshi një fillestari:
- Duhet parë nivelin e aftësive të tij se sa mund të kuptojë e pranojë gjërat dhe duhet analizuar se çfarë i bën dobi më shumë.
- Disave u bën dobi t'iu flitet për gjërat shpresëdhënëse, si: t'iu flitet për Xhenetin, Mëshirën e Allahut. Disave më shumë u bën dobi e kundërta. Nëse u flet për gjërat shpresëdhënëse edhe më shumë keqësohen në raport me gjynahet, duke thënë se Allahu është i Mëshirshëm e na falë. Më së miri është që krahas shpresës t'i flitet edhe për frikën (nga dënimi i Allahut) apo anasjelltas.
- Ajo që është më e rëndësishmja është se duhet pasur kujdes sa i përket sjelljes ndaj tij. Kur të tjerët shohin tek ti sjellje të mirë, besnikëri, ndihmë, sinqeritet, sakrificë, besueshmëri, dashamirësi, mosmashtrim etj., atëherë kjo gjë më së shumti ndikon tek të tjerët për udhëzim në Islam.
- Të mos e ngarkosh shumë me informata e gjëra që nuk i kap mendja e tij. Jo t'i tregohet gjithçka që di për fe. Fillon nga gjërat që janë më bazike e më të rëndësishmet për të, jo prej atyre që janë më pak se kaq, e pastaj kur të forcohet në fe e besim fillon t'ia përmendësh edhe gjërat e tjera.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live.
🎞
🔊 Thënie nga derset

(Dersi) Lutjet e atyre të cilëve marrin përgjigje

2. Lutja në fshehtësi për vëllanë (shokun), duke mos e ditur ai. Nëse e bën këtë, pa e dëgjuar askush, përveç Allahut të Madhëruar, Ai ia pranon këtë lutje. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: "Lutja e muslimanit që e bën për vëllanë e tij fshehtas (pa e dëgjuar askush), merr përgjigje tek Allahu. Te koka e tij qëndron një engjëll. Sa herë që lutet për vëllanë e tij që Allahu t'i japë mirësi, engjëlli thotë: "Amin dhe ty gjithashtu!" Muslimi. Përveç që lutja pranohet, gjithashtu një engjëll lutet që t'i japë edhe lutësit ngjashëm. Kështu nëse lutet që Allahu ta falë, Allahu e fal atë, nëse lutet që Allahu ta mëshirojë, Ai e mëshiron atë, nëse lutet që Allahu ta pasurojë, Ai e pasuron atë. Kjo tregon për sinqeritetin dhe vëllazërinë e pastër mes tyre, ai lutet sinqerisht për vëllanë e tij ngase e do sinqerisht për hir të Allahut. Dhe lutet "bi khajr" (ka ardhur në të pashquar) me çdo mirësi, të kësaj bote dhe tjetrës.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Pyetje: A thuhet estagfirullah tri herë para se të nisim namazin?

Kjo nuk është nga suneti. Pasi të thirret ikameti për namaz, nuk duhet të thuhet asgjë. Thuhet vetëm tekbiri fillestar. Të thuhet tri herë estagfirullah siç dëgjojmë disa njerëz, apo hakun La ilahe ilAllah, apo tjetër gjë, kjo nuk ka bazë në sunetin e Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Pas ikametit mund të thuash lutjen që thuhet pas ezanit. Disa dijetarë thonë se lutja që bëhet pas ezanit bëhet edhe pas ikametit:

اللَّهُمَّ رَبَّ هَذِهِ الدَّعْوَةِ التَّامَّةِ، وَالصَّلَاةِ الْقَائِمَةِ، آتِ مُحَمَّدًا الوَسِيلَةَ وَالْفَضِيلَةَ، وَابْعَثْهُ مَقَامًا مَحمُودًا الَّذِي وَعَدْتَهُ

Pra, e përsëritë ikametin bashkë me muezinin dhe e thua edhe këtë lutje pasi përfundon ikameti. Tjetër gjë nuk thuhet para tekbirit fillestar. Ibn Kajjim rahimhullah në librin rreth namazit thotë se nuk ka asnjë argument që të thuhet diçka para tekbirit fillestar. Por, thuhet Allahu ekber dhe hyhet në namaz.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
💥Shkëndijë përkujtuese

Feja Islame na mëson që të mos ndahemi gjatë ushqimit, por të hamë të gjithë në një vend, këtu është bereqeti. Disa njerëz janë ankuar te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem se nuk po kanë bereqet në ushqim dhe ai salAllahu alejhi ue selem i ka pyetur se a hani ndaras, ata janë përgjigjur: "Po." U ka thënë: "Bashkohuni në ushqim, atëherë u vjen bereqeti." Ndarja më e madhe është kur anëtarët e familjes nuk ulen fare në tavolinë (apo sofër), duke ngrënë secili vetëm, kjo në orë të ndryshme nga njëri-tjetri. Në ushqimin e asaj shtëpie që ndodh kjo gjë, nuk ka bereqet. Ndarja tjetër është kur ulen në tavolinë, mirëpo ndahen nga njëri-tjetri saqë edhe një ushqim sikur që është pitja apo flija, e ndajnë veçmas prej tepsisë nëpër pjata, gjë që është e panevojshme. Ndoshta sa i përket supave apo gjellërave dikush gërditet nëse hanë bashkë, porse përse të ndahen ushqimet që nuk është e nevojshme të ndahen. Është prej sunetit ngrënia e të gjithëve në një enë apo tepsi. Dhe gjithashtu është prej sunetit të mos fillohet ushqimi prej mesit. Pejganberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: "Bereqeti zbret në mesin e ushqimit." Dijetarët kanë sqaruar se kur zbret bereqeti në mes të ushqimit ai shkon duke u shpërndarë në skajet e tij. Kështu kur hanë secili para vetes, atëherë secili merr një pjesë të bereqetit. Por, kur dikush e nis prej mesit, atëherë e merr të gjithë bereqetin.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
Therja e kurbanit për të sëmurin që t'i lehtësohet gjendja

Kjo gjë nuk ka bazë, sepse as në Kuran e as në sunet nuk është përmendur se nëse njeriu ther një kafshë, kjo bëhet shkak që ai të shërohet nga sëmundja. Përderisa nuk ka argument për këtë, kjo vepër është shirk i vogël. Ne duhet ta mësojmë një parim, që na ndihmon shumë sa i përket shkaqeve, se kur janë të lejuara e kur të ndaluara. Shkak i lejuar është ai shkak për të cilin ka treguar Kurani e suneti se lejohet të veprohet, ose ka treguar përvoja e njerëzve adekuat (specialistëve) të asaj fushe, p.sh. lutja tek Allahu, për këtë kemi argumente në Kuran e sunet, apo dhikri, leximi i Kuranit, hixhamja, mjalti, fara e zezë etj. Këto janë shkaqe të ligjshme dhe të preferuara të veprohen kur njeriu ka një sëmundje. Mirëpo, ka shkaqe që nuk kanë ardhur në Kuran, por që i ka vërtetuar mjekësia se janë të dobishme, p.sh.: operimi, ndërhyrja kirurgjike, ilaçi etj. Kur specialistët e një fushe kanë ardhur në përfundimin se një lloj ilaçi ka efekt, atëherë është shkak i lejuar të veprohet.
Nëse nuk është asnjëra nga këto të dyja atëherë nuk lejohet të veprohet ai shkak, dhe nëse veprohet kjo është shirk i vogël, ngase për të nuk ka treguar as feja e Allahut (sheriati) e as përvoja e cila është e bazuar te studiuesit e asaj fushe. Sa i përket therjes së Kurbanit kjo nuk hyn tek asnjëra, as nuk ka argument sheriatik për të e as nuk është shkak i miratuar nga mjekësia.
Mirëpo, në këtë rast, a lejohet të theret kurban një kafshë për ta dhënë sadaka? Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem në një hadith për të cilin disa dijetarë thonë se është hasen/i mirë, ka thënë: "Shërojini të sëmurit tuaj me sadaka." Porse, kjo nuk është e specifikuar me therje të kurbanit, por çfarëdo sadakaje që është, si: para, ushqim dhe të tjera, e që me lejen e Allahut bëhen shkak për shërim. Për këtë ka argument.
Unë nuk do të këshilloja për therjen e kurbanit dhe shpërndarjen e tij si sadaka sepse në zemrat e njerëzve ende është ajo bindje. Andaj parat të cila janë ndarë për këtë kurban, le të jepen si sadaka te një apo disa të varfër, me nijetin që Allahu ta shërojë të sëmurin e tyre. Kjo është me rëndësi, me nijetin që Allahu ta shërojë, pra sadakaja të llogaritet vetëm si shkak, jo më shumë. Ky veprim lejohet. Por nëse njeriu beson se vetë kurbani i therur në ato momente, e shëron njeriun apo e bën të vdesë, kjo është shirk i madh, ngase shërimin apo vazhdimin e jetës apo dhënien e vdekjes, ia atribuon krijesës e jo Allahut. Këtu duhet pasur kujdes shumë.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
Pyetje: Si është çështja me atë që thotë kjo e ajo është e ndaluar të veprohet e ndërsa vetë e vepron?

Ky është si qiriu, i ndriçon të tjerët e vetë digjet. Ky është shembulli i atij që i këshillon të tjerët për vepra të mira e ndërsa vetë nuk i vepron, apo që i ndalon prej veprave të këqija e ndërsa vetë i vepron ato. Besimtari nuk duhet të jetë i tillë. Është e vërtetë se, sa i përket veprave të mira (të shtojë namaz vullnetar etj.), ka mundësi që vetë të mos mund t'i praktikojë të gjitha, por që të tjerët i këshillon t'i veprojnë ato. Në këtë rast, kur është i angazhuar me diçka tjetër, nuk qortohet (pse vepron kështu), p.sh.: është i angazhuar me dije (duke mos mundur të merret shumë me vepra vullnetare), e ndërsa të tjerët që nuk janë në këtë gjendje i këshillon që të shtojnë veprat e mira. Por, kur është fjala te ndalesat, duhet të jetë i pari që largohet prej tyre kur i këshillon të tjerët. Këtu nuk arsyetohet e të thotë "Unë po i këshilloj të tjerët të lënë ndalesat e ndërsa vetë i veproj ngase janë ashtu rrethanat duke mos mundur t'iu iki".
Fatkeqësia më e madhe është kur njeriu në Ditën e Gjykimit sheh se ata që i ka këshilluar kanë shpëtuar nga zjarri i xhehenemit, duke u bërë shkak këshillat që ua ka dhënë, me lejen e Allahut, e ndërsa vetë shkatërrohet.
Fjala që thuhet "Hoxhës këqyrja fjalët e jo veprat", është e vërtetë nga aspekti i xhematit. Xhemati nuk bën të nxjerrë si arsyetim se hoxha po e vepron këtë e atë, andaj edhe unë po e bëj. Nuk ka arsyetim para Allahut. Përderisa e di se një gjë është e ndaluar dhe dikush e vepron, nuk arsyetohesh tek Allahu, edhe nëse ai që e vepron atë është dijetar apo hoxhë. Ai do të japë përgjegjësi për vetën, edhe ti do të japësh për vetën tënde, tek Allahu. Kjo fjalë nuk e arsyeton hoxhën. Ai nuk lejohet t'iu thotë të tjerëve "Dëgjoni fjalët e mia, e mos këqyrni veprat e mia!" Ai duhet të jetë shembull i mirë për të tjerët.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
💥Shkëndijë përkujtuese

• Ecja me qetësi për namaz
Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka ndaluar që njeriu të shpejtojë për ta zënë namazin kur është vonë. Ai ka thënë që të ecët me qetësi. Në arabisht thuhet weekar - me qetësi, me autoritet, që kur të tjerët të të shohin ta dinë se je duke shkuar për të kryer një punë madhështore: rënia në sexhde Allahut. Këtë ndjenjë duhet pasur në zemër kur shkon për namaz dhe duhet të reflektojë në ecjen tënde, e kështu të të shohin edhe të tjerët. Kur fillon të vraposh e shpejtosh, të humbet serioziteti. Kjo është një prej arsyeve pse është ndaluar vrapimi për ta zënë namazin.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
Motivet (shkaqet) që nxisin braktisjen e mëkateve

🖇Motivi i dhjetë

Ibn Kajim rahimehullah thotë: “T’ia kujtosh vetes fatkeqësinë dhe mirëqenien (shpëtimin), ngase në realitet fatkeqësi e vërtetë është bërja e mëkateve dhe pasojat e tyre, kurse mirëqenia e plotë është adhurimi që ia bën vetëm Allahut dhe rezultatet e mira që vijnë pastaj. Njerëz të sprovuar janë ata të cilët i bëjnë mëkat Allahut edhe pse trupat i kanë të shëndoshë. Kurse, njerëzit e mirëqenies janë ata të cilët i binden Allahut edhe nëse kanë sëmundje në trupat e tyre.🌼 Disa prej selefit kanë thënë: “Kur t’i shihni njerëzit e sprovuar, luteni Allahun t’ju shpëtojë nga ajo sprovë (t’ju japë mirëqenie)”, ngase njerëz të sprovuar janë ata të cilët i bëjnë mëkat Allahut dhe janë të shkujdesur. Edhe pse sprova e fatkeqësia më e madhe është sprovimi me bërjen e mëkateve, kjo fjalë e selefit përfshinë të gjitha sprovat, pavarësisht a janë në trup apo në fe, e Allahu e di më mirë.”

💦Duhet ta ketë parasysh njeriu se kush në realitet është i shpëtuar e kush i sprovuar. Nga fjalët e Ibn Kajimit kuptohet se mëkatet janë rreziku e sprova më e madhe për besimtarin. Nuk ka fatkeqësi e rrezik më të madh që e godet besimtarin sesa bërja e mëkateve, kurse mirëqenia e plotë është kur ai i bindet Allahut, e prej bindjes ndaj Tij pa dyshim është dhe largimi nga mëkatet.

🔍Allahu e ka ndarë sprovimin mbi njerëzit me kaderin e Tij, kështu disa i sprovon e disave u jep mirëqenie e shpëtim. Prej lutjeve më madhështore me të cilat e lusim Allahun, është që të na japë shpëtim dhe mirëqenie. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk ka lutje më të vlefshme me të cilën njeriu e lut Allahun, sesa të thotë: “O Allah, kërkoj nga Ti mirëqenie (shpëtim) në këtë botë dhe tjetrën!”1 Ibn Maxheh. Po ashtu ka thënë: “Kërkoni nga Allahu falje e shpëtim (عَافِيَة-mirëqenie), ngase askujt nuk i është dhënë pas besimit e bindjes një gjë më e mirë dhe më e vlefshme sesa mirëqenia në të dy botët (shpëtimi nga mëkatet)!” Tirmidhiu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka porositur shokët dhe familjen e tij që sa më shumë ta shtojnë këtë lutje. Një ditë i ka thënë axhës së tij Abasit radijAllahu anhu: “O axha im, shtoje sa më shumë lutjen që Allahu të të japë shpëtim (mirëqenie) në këtë botë dhe tjetrën!” 2

1. اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الْعَافِيَةَ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ –
All-llahum-me in-nii eselukel aafijete fiid-dunjee wel eekhirah.
2. Po kjo lutje.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
"Motivet që nxisin braktisjen e mëkateve".
Pyetje: Çfarë vepra të veprohen për të arritur Kënaqësinë e Allahut?

Së pari: veprimi i obligimeve me të cilat na ka ngarkuar Allahu. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem tregon se Allahu ka thënë: "Nuk ka gjë me të cilën afrohet robi Im më shumë tek Unë sesa me obligimet..." Kur flasim për obligime, këtu hynë së pari: namazi, agjërimi etj., por edhe obligimet e tjera, si: ato ndaj vetes, ndaj familjes, ndaj të tjerëve. Nëse Allahu ta ka dhënë një pozitë, atëherë ke përgjegjësi dhe i ke obligim ata që janë nën ty.
Pas kësaj: veprimi i veprave vullnetare. Vazhdon hadithi kudsij: "...pastaj afrohet tek Unë me vepra vullnetare derisa ta dua". Kështu arrihet dashuria dhe kënaqësia e Allahut, duke shtuar vepra vullnetare sa më shumë (pas atyre obligative).
Por, nga kjo kuptohet edhe ndalja nga mëkatet dhe gjërat e ndaluara. Pra, të kryhen obligimet e të braktisen ndalesat, të veprohen veprat vullnetare dhe të braktisen sa më shumë gjërat e urryera, të papëlqyera.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
💥Shkëndijë përkujtuese

Lutja tek Allahu është prej shkaqeve më të forta që duhet ndërmarrë që Ai t'ia largojë një fatkeqësi apo sprovë. Në lutjen drejtuar Allahut ka mbështetje në Të. Kur njeriu i lutet Allahut, duke plotësuar kushtet e rregullat e lutjes dhe duke larguar pengesat për pranimin e saj, atëherë ai realisht i është mbështetur Atij, ngase ai e di se Allahu është Ai i Cili i përgjigjet kësaj lutjeje dhe Ai që e ndihmon. Lutja është mbështetje në Allahun.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
💥Shkëndijë përkujtuese

• Njeriu nuk bën të arsyetohet "Të gjithë po veprojnë kështu", sepse askush nuk do të vijë t'ia marrë gjynahun në Ditën e Gjykimit duke thënë "Ti ke vepruar se ne të gjithë e kemi vepruar, andaj na shpërndaj të gjithëve nga pak këtë gjynah". Përkundrazi, po të munden, ia hedhin edhe gjynahet e veta atij.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
Pyetje: Shpeshherë hasim në hadithe në të cilat thuhet se nëse bën lutje në kohë të caktuara, Allahu nuk e kthen atë, por në praktikë nuk po ndodh kështu shpeshherë. Si t'i kuptojmë këto hadithe, apo janë të dobëta?

Hadithet në këtë aspekt janë të sakta (sahih). Ka kohë, rrethana e gjendje të caktuara (të ardhura në hadithe) që nëse njeriu lutet gjatë tyre, Allahu i përgjigjet lutjes pa dyshim. Mirëpo, se pse nganjëherë nuk sheh rezultat nga lutja, dijetarët kanë dhënë dy sqarime:
1. Siç dhe ka ardhur në hadith profetik se Allahu i përgjigjet lutjes së besimtarit me njërën prej tri mënyrave: a) ia jep direkt atë që e kërkon, i përgjigjet lutjes, b) ia ruan shpërblimin për këtë lutje Ditën e Gjykimit, kështu Allahu nuk ia jep atë që e kërkon njeriu, për shkak të Urtësisë së Tij, ndoshta ajo që ia kërkon do ta dëmtonte në fenë e tij. Ka ardhur në disa hadithe se kur njeriu sheh se sa shumë shpërblime ka, do të pyesë: "Nga këto?", dhe i thuhet "Për shkak të lutjeve tua." Allahu nuk ia ka dhënë në jetën e kësaj bote, por ia ka ruajtur shpërblimin për botën tjetër. Dhe aty njeriu do të dëshironte që Allahu të mos i ishte përgjigjur në asnjë lutje të bërë në jetën e kësaj bote, që t'ia ruante shpërblimin për to në ahiret. C) ia largon një të keqe të ngjashme (të të njëjtit nivel a madhësi) me atë të mirë që e kërkon. Kështu ai lutet dhe Allahu e di se ajo që e kërkon nuk është shumë në dobi të tij apo mund ta dëmtojë në fenë e tij, atëherë ia largon një të keqe.

2. Lutja është sikurse adhurimet e tjera e cila ka kushte dhe pengesa. Nëse njeriu i largon të gjitha pengesat e mospranimit të lutjes atëherë merr përgjigje lutja e tij. Nëse ka lënë mangët ndonjë kusht, ose ka ndonjë pengesë, atëherë nuk merr përgjigje lutja e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar në një hadith se pengesa kryesore pse lutja nuk merr përgjigje është: ushqimi me haram. Ai ka përmendur një njeri i cili ka udhëtuar gjatë, ka qenë i pluhurosur, flokëshprishur, i lodhur, i këputur nga udhëtimi, dhe i ka ngritur duart nga qielli duke thënë: O Zoti im, o Zoti im! Dijetarët këtu përmendin se në këtë hadith janë bërë bashkë shumë prej shkaqeve të pranimit të lutjes: udhëtimi i gjatë, gjendja e rëndë dhe e vështirë, ngritja e duarve dhe bërja tewesul me Emrin Rabb-Zot, që është prej Emrave që më së shumti e hasim te lutjet e Pejgamberëve. Ky njeri ka qenë këmbëngulës në lutjen e tij duke e përsëritur. Mirëpo, Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ushqimi e veshja e këtij personi kanë qenë me haram dhe është ushqyer me haram, atëherë "Si pret ky përgjigje për lutjen e tij?!" Kjo është një prej pengesave. Andaj nëse njeriu i plotëson kushtet e lutjes dhe i largon pengesat, atëherë lutja e tij merr përgjigje patjetër. Prej pengesave është ngutja në përgjigje, thotë: "E luta e luta Allahun dhe nuk po marr përgjigje", dhe e braktisë lutjen.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
💥Shkëndijë përkujtuese

• I riu që u rrit në adhurim ndaj Allahut - Ky pa dyshim se do të ketë shpërblim tek Allahu sepse adhurimin ndaj Tij më vështirë e ka i riu sesa i moshuari. Kjo ngase i riu ka epshe e dëshira, synime e objektive, që nuk i ka i moshuari, e të cilat e pengojnë prej zbatimit të urdhrave të Allahut dhe largimit nga mëkatet. Natyra e të riut e shtyn apo e tërheqë të bëjë mëkate. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem thotë se një i ri i cili e ka kaluar rininë në bindje e adhurim ndaj Allahut (dhe kuptohet që po kështu dhe ka vazhduar pjesën tjetër deri në vdekje), do të jetë nën hijen e Arshit të Allahut.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
💥Shkëndijë përkujtuese

Arsyeja se pse haxhinjtë shkojnë në Medine pasi ta kryejnë haxhin është vizita e xhamisë së Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem. Ky duhet të jetë qëllimi. Në Medine lejohet të vizitohen disa vende të caktuara:
- Varri i të Dërguarit salAllahu alejhi ue selem.
- Varreza e dëshmorëve të Uhudit.
- Xhamia Kuba dhe falja e dy rekateve në të. Kjo është sunet. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: "Kush shkon në xhaminë Kuba dhe fal dy rekate në të, ka shpërblimin sikur ta bëjë një umre." Ai për çdo të shtune ka shkuar, ose me deve ose në këmbë, dhe ka falur në të dy rekate.
Vendet e tjera që i vizitojnë haxhinjtë, e që nuk duhet të bëhen me nijetin e adhurimit apo si vende që synohen për vizitë, janë:
-Xhamia e dy kiblave - Mesxhid kibletejn. Nuk ka shpërblim personi nëse e viziton atë.
- Shtatë xhamitë - sebeat mesexhid. As në këtë vizitë nuk ka shpërblim dhe vlerë në kuptimin e adhurimit. Madje, të shkohet aty se kjo gjë është adhurim, me këtë mund të biesh në bidat, sepse nuk ka argument për këtë.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
Pyetje: A lejohet për femrën me menstruacione të këndojë tri suret e fundit para gjumit e ta fërkojë trupin?

Nuk ka të keqe të veprojë kështu sepse sipas mendimit më të saktë të dijetarëve femrës që është me menstruacione i lejohet të lexojë Kuran. Nuk ka argument që ia ndalon këtë. Jo vetëm ta bëjë dhikrin para gjumit, atë të mëngjesit dhe mbrëmjes, duke qenë se ky dhikër përmban edhe sure kuranore, porse edhe të lexojë Kuran gjatë ditës nuk prishë punë edhe nëse është me menstruacione, sepse nuk ka pra argument që e ndalon këtë. Më e shumta që mund ta themi është se gjersa është me menstruacione është mirë mos ta prekë mushafin me duar. Kështu, nëse lexon nga mushafi, le ta shfletojë me dorëz, me mjet, me leckë etj. Pa e prekur direkt atë. Kjo është më mirë, edhe pse as për këtë nuk ka argument të qartë që e ndalon, mirëpo është më mirë të mos preket direkt sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: "Kuranin nuk bën ta prekë përveç ai që është i pastër (tahir)." "I pastër" është term i përgjithshëm që përfshin shumë kuptime. Prej këtyre kuptimeve, të disa dijetarë hyn edhe ai që është xhunub, gruaja me menstruacione, lehona, duke thënë që këta të mos e prekin mushafin. Ndërsa, të lexojë përmendësh apo të lexojë prej mushafit pa e prekur atë, nuk ka të keqe dhe nuk ka argument që e ndalon, ky është mendimi më i saktë i dijetarëve. Të gjitha hadithet që e ndalojnë këtë janë të dobët. Ata që bën kijas me prekjen nuk kanë argument ngase në hadith ka ardhur moslejesa e prekjes së mushafit, e ndërsa të lexohet përmendësh apo të lexohet direkt kjo nuk prishë punë, apo të lexojë përmes telefonit as kjo nuk prishë punë sepse nuk është mushaf në këtë rast.
Sa i përket fjalës së atyre që thonë se Kurani duhet lexuar gjithsesi me abdes e ndërsa pa abdes nuk bën, është një hadith ku tregohet se Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është zgjuar nga gjumi dhe ka lexuar ajetet e fundit të sures Ali Imran (fillojnë nga ajeti: Inne fi khalkis semeweti wel erdi ...), e pastaj ka marrë abdes. Kjo tregon se kur i ka lexuar këto ajete ai nuk ka pasur abdes. Andaj nuk është kusht abdesi për të lexuar Kuran. Kjo është mirë pa dyshim, sepse Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem as selamin nuk e ka kthyer pa abdes, në shumicën e rasteve. Është më mirë e më e preferuar që Fjalët e Allahut të lexohen duke pasur abdes, porse kjo gjë nuk është kusht e obligim.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
💥Shkëndijë përkujtuese

Thirrja ndaj familjarëve përmes bamirësisë ndaj tyre
• Secili prej nesh e di mënyrën se si mund të ndikojë më shumë. Në disa raste ndikon më së shumti ndihma ndaj tyre, duke mos bërë shumë punë fjala. Kështu që nëse ke mundësi, ndihmoju kur kanë nevojë, me ndihmë fizike, financiare etj. Kjo me lejen e Allahut ndikon shumë. Njerëzit janë krijuar të atillë që ta duan atë që i bën mirë (bamirësin). Andaj ne duhet shumë ta shfrytëzojmë këtë aspekt (nga aspekti i bamirësisë) për t'iu bërë njerëzve davet (thirrje në Islam). Nëse u bën mirë, edhe fjalën tënde do ta marrin më shumë.
• Mundohu që në mbajtjen e lidhjes me ta të tregohesh i durueshëm. Nëse të nënçmojnë, mos bjerë në nivelin e njëjtë, apo nëse nuk duan të të shohin e të përshëndesin. Me durim, me afrim ndihme, me afrim të kontaktit me ta etj., ndikon për të mirë dhe ka prej atyre që janë udhëzuar. Shembullin më të mirë e kemi te Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem, se si është treguar i durueshëm në davetin e tij ndaj të afërmve dhe të tjerëve.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞
Cilësitë e bashkëshortes së mirë

Cilësia e dytë: Ruajtja nga shejtani

Misioni i shejtanit është që njerëzve t'ua çrregullojë jetën, t'ua prishë fenë, apo moralin, apo raportet mes njerëzve, e sidomos raportet mes bashkëshortëve, të prishë dashurinë mes vëllezërve etj. Qëllimi i shejtanit është të bëjë shkatërrime e çrregullime në tokë. Siç ka ardhur në hadith, ai çdo ditë dërgon ushtritë e tij për të realizuar misionin e tij. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: "Iblisi e vendos fronin e tij mbi ujë, pastaj dërgon njësitë e tij ushtarake (për të bërë shkatërrime në tokë). Ai që (prej tyre) arrin pozitën më të afërt tek Iblisi është ai i cili bën shkatërrimet më të mëdha në tokë (mes njerëzve). Njëri prej tyre vjen tek ai dhe i thotë: "Kam vepruar këtë e këtë", e ai ia kthen: "S'ke vepruar gjë." Vjen një tjetër i thotë: "Nuk i jam ndarë filanit (me vesvese, cytje, fitne) derisa e kam ndarë nga gruaja e tij." Atëherë Iblisi e afron atë dhe thotë: "Ti je ushtari i duhur (që kryen punë)." Muslimi. Bashkëshortët duhet të jenë të vëmendshëm në këtë çështje dhe ta kuptojnë mirë se e kanë një armik të fshehur i cili i sheh e ata nuk e shohin atë. Shejtani vazhdimisht u bën vesvese, cytje, kurthe e intriga, derisa të mbjellë armiqësi, ngatërresa e mospajtime mes tyre. Pra, prej cilësive të gruas së mirë është se ajo gjithmonë ruhet dhe i kushton vëmendje mos rënies në kurthet e shejtanit, mospranimit të veseve, joshjeve e cytjeve të tij, nuk lejon që shejtani të hedhë vesvese në zemrën e saj, e nëse e dëgjon dhe i bindet shejtanit pastaj pasojat janë të mëdha, do të prishen raportet mes dy bashkëshortëve e kështu shkatërrohet familja. Siç e dimë, shumë prej familjeve dhe martesave janë shkatërruar kur anëtarët e familjes i janë bindur apo i kanë dëgjuar cytjet e shejtanit. Sikur secili të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej shejtanit të mallkuar e të mos i pranojë cytjet e tij, nuk do të ndodhnin përçarje e ndasi. Anëtarët e shtëpisë muslimane kanë nevojë ta mbrojnë veten e tyre me të gjitha shkaqet e ruajtjes prej shejtanit dhe shkaqet e largimit të tij prej shtëpisë (të cilat kanë ardhur në sunet).

Hoxhë Lulzim Perçuku - Dersi "Cilësitë e bashkëshortës së mirë".
Si është gjykimi për frikën ndaj xhindëve?

Nëse njeriu beson se xhindët mund ta dëmtojnë jashtë dëshirës dhe vullnetit të Allahut, kjo është shirk i madh. Mirëpo, nëse beson se xhindët mund ta dëmtojnë sikur që dëmtojnë krijesat e tjera, kjo është mëkat dhe është mbështetje e paktë në Allahun. Kur besimtari i frikësohet xhindëve kjo tregon se ai ka mbështetje të paktë tek Allahu, ose nuk e njeh mirë Atë, Cilësitë e Emrat e Tij etj. Andaj, ai për t'i ikur kësaj frike ndaj xhindëve, së pari duhet ta njohë Allahun, Madhështinë e Tij, Fuqinë e Tij, e të dijë se asgjë nuk i ndodh pa dëshirën e Allahut edhe nëse të gjithë xhindët e botës mblidhen për ta dëmtuar, nuk do të kenë mundësi, përveç nëse Allahu e ka caktuar apo e dëshiron (lejon) këtë gjë. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: "Nëse të gjithë njerëzit bëhen bashkë për të të dëmtuar, nuk kanë mundësi, përveç aq sa e ka shkruar Allahu. Edhe nëse mblidhen të gjithë për të të sjellë një dobi, nuk kanë mundësi, përveç aq sa e ka shkruar Allahu." Besimtari duhet ta ngulisë këtë bindje e besim në zemër e mendje, askush e asgjë nuk mund ta dëmtojë veçse aq sa ka caktuar Allahu, edhe nëse është fjala që ta dëmtojnë xhindët, nuk do të kenë mundësi ta dëmtojnë. Kur besimtari ka këtë mbështetje në Allahun nuk do të ketë më frikë prej xhindëve.
Gjëja tjetër që e ndihmon në këtë është të dijë dobësinë e xhindëve. Xhindët e shejtanët janë shumë të dobët në përballje me besimtarin. Allahu thotë: “...vërtet, dinakëria e djallit është e dobët!” Nisa 76. Besimtari që e beson Allahun, është i sinqertë, i është mbështetur Atij, i kryen obligimet e ruhet prej gjynaheve, atëherë duhet të dijë se shejtani nuk mund të bëjë asgjë ndaj tij. Shejtani e ka ndërruar edhe rrugën kur është ballafaquar me Umerin radijAllahu anhu për shkak të besimit e mbështetjes së fortë që ka pasur në Allahun. Sa më shumë që njeriu e shton besimin dhe mbështetjen në Allahun, prej tij ikë shejtani, e jo që t'i afrohet apo të mund ta dëmtojë.

Hoxhë Lulzim Perçuku - Derset live.
💥Shkëndijë përkujtuese

Prej rregullave të lutjes është që për çdo gjë që e lutë Allahun duhet të punosh, e jo vetëm të lutesh dhe të rrish ndenjur. Nëse e lut Allahun të të japë dije, atëherë duhet të punosh në këtë drejtim, të shikosh se cilat janë mundësitë e kërkimit të dijes dhe të gjesh një mundësi që është më e përshtatshme për ty (dikush e ka më të lehtë të dëgjojë derse, dikush të lexojë). Nëse e lut Allahun të të japë furnizim, duhet të punosh në këtë drejtim, të dalësh të punosh, e jo të lutesh e të qëndrosh në shtëpi.

Hoxhë Lulzim Perçuku.
Derset live. 🎞