esSunneh
475 subscribers
86 photos
10 videos
4 files
287 links
Mësimi i Islamit i bazuar në Librin e All-llahut dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij ﷺ, sipas kuptimit të sahabëve dhe dijetarëve prijës të udhëzimit.
Download Telegram
Çfarë do të thotë "ibadet"?

Treguam se qëllimi, për të cilin Krijuesi i Lartësuar e ka sjellë njeriun në këtë ekzistencë, është ibadeti (adhurimi) ndaj All-llahut.

Adhurimi është misioni ynë i jetës, është detyra jonë e parë. Adhurimi është nderi ynë dhe ngritja jonë. Prej tij varet lumturia në dynja dhe Ahiret.

Kështu që adhurimi është gjëja më e rëndësishme për të cilën duhet të interesohet njeriu, të cilës duhet t’ia kushtojë kohën më të çmuar dhe për të cilën duhet të gjurmojë.

Atëherë, çfarë do të thotë “Ibadet”?

Dijetari kolosal, Ibën Uthejmini (All-llahu e mëshiroftë) ka thënë:

“Fjala ibadet (adhurim) ka kuptim të përgjithshëm dhe kuptim të veçantë.

Ibadeti me kuptimin e përgjithshëm është:

“Përulja ndaj All-llahut të Lartësuar me dashuri dhe madhërim, duke i kryer urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, në atë formë që përputhet me Ligjet e Tij të zbritura”.

Kurse ibadetin me kuptimin e veçantëd.m.th. të zbërthyer – e ka definuar Shejhul-Islam Ibën Tejmije kështu:

“Ibadeti është emër përmbledhës për çdo gjë që All-llahu e do dhe është i Kënaqur me të, qoftë fjalë ose vepër, qoftë e brendshme ose e jashtme. Si për shembull: frika, frikëmadhërimi, mbështjetja, namazi, zekati, agjërimi dhe çështje të tjera të ligjshme në Islam”.[1]


Dijetari i nderuar Sâlih el-Feuzân ka thënë:

Ibadeti është: Përpjekja e robit për t’iu afruar All-llahut, përmes çdo gjëje që e ka ligjësuar All-llahu, qoftë vepër ose fjalë, e dukshme ose e fshehtë.

Ibadeti (adhurimi) është haku i All-llahut dhe detyrimi që e kanë krijesat kundrejt Tij, ndërsa dobia e adhurimit u kthehet vetëm atyre. Prandaj, kush refuzon ta adhurojë All-llahun quhet mendjemadh, kush e adhuron All-llahun dhe, bashkë me Atë, e adhuron dikë tjetër, quhet mushrik (idhujtar), kush e adhuron vetëm All-llahun Një por me diçka që nuk e ka shpallur, quhet bidatçi (shpikës) dhe kush e adhuron vetëm All-llahun me ibadetet që i ka shpallur Ai, quhet besimtar muwahhid (monoteist).”[2]


Burimi:
[1] Fikhul-ibâdât, f. 12.
[2] Dawabit el-Ibadeh es-Sahiha.
Përktheu dhe përshtati: Blerand Grubi.
t.me/essunneh
Si ta kuptojmë se çfarë adhurimi do All-llahu prej nesh?

Pasi që njerëzit janë në nevojë të domosdoshme për adhurim (ibadet), dhe nuk munden vetvetiu ta njohin realitetin e adhurimit që do ta kënaqë All-llahun dhe do të jetë në pajtim me Fenë e Tij, All-llahu nuk ua ka ngarkuar këtë barrë atyre. Porse Ai u dërgoi të Dërguar dhe u zbriti Libra, për t’ua sqaruar konceptin dhe realitetin e këtij ibadeti. Siç ka thënë i Lartësuari:

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولاً أَنِ اعْبُدُواْ اللّهَ وَاجْتَنِبُواْ الطَّاغُوتَ

“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni All-llahun dhe shmangni idhujt!” [en-Nahl, 36]

Gjithashtu ka thënë:

وَمَا أَرْسَلْنَا مِن قَبْلِكَ مِن رَّسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ

“Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka të adhuruar tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” [el-Enbija’, 25]

Ai që i shmanget adhurimit, të cilin e kanë sqaruar të Dërguarit dhe e kanë sjellë Librat, dhe e adhuron All-llahun me vepra që ia dikton ënda, që ia pëlqen nefsi dhe ia zbukurojnë djajtë njerëz dhe xhinde, ai ka devijuar nga Udha e drejtë. Adhurimi i këtij, në realitet, nuk është adhurim për All-llahun, por është adhurim për ëndjen e vet:

وَمَنْ أَضَلُّ مِمَّنِ اتَّبَعَ هَوَاهُ بِغَيْرِ هُدًى مِّنَ اللَّهِ

“E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat e veta, pa udhëzim prej All-llahut?” [El-Kasas, 50]

Ky soj i njerëzve është i shumtë dhe në krye të tyre janë të krishterët, bashkë me sektet e devijuara të Umetit tonë. Ata kanë thurur për vete plane dhe mënyra se si ta adhurojnë All-llahun, dhe shumica e riteve të tyre bien në kundërshtim me Ligjet që i ka zbritur All-llahu.

Kjo bëhet e qartë vetëm kur sqarohet koncepti i “adhurimit”, të cilin e ka ligjësuar All-llahu përmes gjuhës së të Dërguarit të Tij (ﷺ). Kur ta kuptojmë realitetin e “adhurimit”, bëhet e qartë se çdo çështje që e kundërshton atë, është e pavlefshme. Madje edhe nëse personi që e sjell atë çështje pretendon se ajo të afron tek All-llahu, ajo në të vërtetë të largon prej Tij.

Vijon: “Bazat e adhurimit”

Autor: Sâlih el-Feuzân
Burimi: Dawâbit el-Ibâdeh es-Sahiha.
Përktheu: Blerand Grubi.

t.me/essunneh
Çfarë nënkupton dëshmia: “Muhammedun RasûlUllâh”?

Dëshmia "Muhammedun RasûlUll-llâh" do të thotë: ta pohosh me gjuhë dhe ta besosh me zemër se Muhammedi, i biri i Abdullah-ut, Kurashiu, Hashimiu[1], është i Dërguar i All-llahut për gjithë botën - për gjithë njerëzit dhe xhindet.

Siç ka thënë All-llahu i Lartësuar:

قُلْ يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعاً الَّذِي لَهُ مُلْكُ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضِ لا إِلَهَ إِلاَّ هُوَ يُحْيِ وَيُمِيتُ فَآمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ النَّبِيِّ الأُمِّيِّ الَّذِي يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَكَلِمَاتِهِ وَاتَّبِعُوهُ لَعَلَّكُمْ تَهْتَدُونَ

“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i All-llahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në All-llahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në All-llahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!” [El-A’râf, 158]

Ka thënë gjithashtu:

تَبَارَكَ الَّذِي نَزَّلَ الْفُرْقَانَ عَلَى عَبْدِهِ لِيَكُونَ لِلْعَالَمِينَ نَذِيراً

“Tebârake (të madhëruara janë Cilësitë e Tij dhe të shumta janë dhuntitë që sjell All-llahu) i Cili i ka zbritur Furkanin (Kuranin) robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët.” [El-Furkân, 1.]

Kjo dëshmi, Muhammedun RasûlUll-llâh, kërkon dhe nënkupton që:

- t’i besosh asaj që i Dërguari i All-llahut (ﷺ) e ka thënë dhe lajmëruar;
- ta zbatosh atë që ai e ka urdhëruar dhe t’i largohesh asaj që ai e ka ndaluar dhe qortuar;
- dhe të mos e adhurosh All-llahun ndryshe, përveçse me atë që i Dërguari e ka ligjësuar.

Gjithashtu, kjo dëshmi nënkupton edhe të mos besosh se i Dërguari i All-llahut (ﷺ) ka ndonjë të drejtë ose hise në zotërimin dhe sistemimin e universit, dhe as se ka ndonjë të drejtë në adhurim. Përkundrazi, duhet të besosh se ai është një “abd” (rob, adhurues), pra që nuk adhurohet, dhe është një i dërguar, që nuk bën të përgënjeshtrohet.

Ai nuk ka në dorë ndonjë mundësi për t'i sjellë dobi ose dëme, as vetvetes as dikujt tjetër, përveç asaj që ia ka mundësuar All-llahu. Siç ka thënë All-llahu i Madhëruar:

قُلْ لا أَقُولُ لَكُمْ عِندِي خَزَائِنُ اللَّهِ وَلا أَعْلَمُ الْغَيْبَ وَلا أَقُولُ لَكُمْ إِنِّي مَلَكٌ إِنْ أَتَّبِعُ إِلاَّ مَا يُوحَى إِلَيَّ

“Thuaj: “Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e All-llahut apo se e di gajbin (të fshehtën, të padukshmen) dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet”.” [El-En’âm, 50]

Pra, ai është thjesht një rob, i cili i ndjek urdhrat e Zotit. All-llahu i Lartësuar ka thënë gjithashtu:

قُلْ إِنِّي لا أَمْلِكُ لَكُمْ ضَرّاً وَلا رَشَداً (21) قُلْ إِنِّي لَنْ يُجِيرَنِي مِنْ اللَّهِ أَحَدٌ وَلَنْ أَجِدَ مِنْ دُونِهِ مُلْتَحَداً (22)

“Thuaj: “Unë nuk mundem t’ju largoj ndonjë dëm e as t’ju sjell ndonjë dobi”. Thuaj: “Edhe mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i All-llahut (nëse e kundërshtoj); dhe nuk mund të gjej strehim tjetërkund, përveçse tek Ai”.” [El-Xhinn, 21-22]

Gjithashtu ka thënë:

قُلْ لا أَمْلِكُ لِنَفْسِي نَفْعاً وَلا ضَرّاً إِلاَّ مَا شَاءَ اللَّهُ وَلَوْ كُنتُ أَعْلَمُ الْغَيْبَ لاسْتَكْثَرْتُ مِنْ الْخَيْرِ وَمَا مَسَّنِي السُّوءُ إِنْ أَنَا إِلاَّ نَذِيرٌ وَبَشِيرٌ لِقَوْمٍ يُؤْمِنُونَ

“Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron All-llahu. Sikur ta dija gajbin (të fshehtën), do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”.” [El-A’râf, 188]

Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: “Fikhul-ibâdât” f. 30-31.
Përkthimi: Blerand Grubi

Fusnota:
[1] Kurashiu: nga fisi Kurajsh, pasardhës të Ibrahimit nga biri i tij, Ismaili;
Hâshimiu: d.m.th. pasardhës i Hâshim ibën AbdulMenâfit, stërgjyshi i Muhammedit ﷺ (përkthyesi).

t.me/essunneh
37 - Çfarë gjykimi ka bashkimi i tërë namazit të teravisë, ose një pjese të tij, me Vitrin, duke dhënë selam veç në fund?

Ky veprim e prish namazin, për shkak se Profeti ﷺ ka thënë: “Namazi i natës është dy nga dy...”, e nëse ato i bashkon nën një selam, nuk do të jenë “dy nga dy”, kështu që do të jetë në kundërshtim me urdhrin e të Dërguarit ﷺ.

Profeti ﷺ ka thënë:
«مَن عمل عملاً ليس عليه أمرنا فهو رد».
“Kush bën një vepër që nuk gjendet në fenë tonë (që nuk e kemi urdhëruar), ajo i refuzohet.” [Transm. Muslimi]

Imam Ahmedi – rahimehUll-llah – ka thënë:

“Ai që ngrihet për rekat të tretë në namazin e natës është njësoj sikur të ngrihet për të falur rekat të tretë në namazin e sabahut.”

- Që do të thotë se, nëse vazhdon rekatin e tretë me vetëdije, namazi i tij prishet, tamam si në namazin e sabahut.

Për këtë arsye, nëse gjatë namazit të teravisë harron dhe çohet për rekatin e tretë, e ka obligim që, në momentin që i kujtohet, të kthehet ulur, ta thotë teshehhud-in dhe të bëjë sexhden e harresës pas selamit. Nëse nuk vepron kështu, atij i prishet namazi.

Këtu kemi një çështje: Disa njerëz kanë kuptuar nga hadithi i ‘Aishes – radijAll-llahu ‘anhâ – kur ajo është pyetur: “Si është falur Profeti ﷺ gjatë Ramazanit?”, dhe ajo ka thënë:

“Nuk ka shtuar, as gjatë Ramazanit e as gjatë herëve tjera, përtej njëmbëdhjetë rekateve. I falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre! Pastaj i falte katër, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre! Pastaj i falte tri.”

- Disa njerëz kuptuan nga ky hadith se katër rekatet e para falen (ngjitur) me një dhënie selami, katër të dytat me një dhënie selami dhe tre rekatet e mbetura me një dhënie selami.

Nga teksti i këtij hadithi mund të kuptohet kjo që u përmend, dhe mund të kuptohet se për qëllim është që i ka falur katër rekate me dy herë selam (duke dhënë selam pas çdo dy rekateve), pastaj është ulur për të pushuar dhe për të kthyer energjinë, e pastaj i ka falur edhe katër në atë mënyrë.

Ky mendim – d.m.th. falja dy nga dy – është mendimi më i afërt, dhe pas katër rekateve të para duhet të ulemi për pushim e për të kthyer energjinë. Në të njëjtën mënyrë falen edhe katër rekatet e dyta – dy nga dy, dhe pas tyre duhet ulur (për pushim).

Këtë mendim e përforcon hadithi i Profetit ﷺ: “Namazi i natës është dy nga dy...” , dhe me këtë rast, harmonizohet ajo që e ka vepruar me atë që e ka thënë i Dërguari ﷺ.

Ndërsa, opsioni që të falen katër rekate me një dhënie selami, mund të nënkuptohet (nga hadithi), mirëpo është merxhuh (nuk është mendimi i saktë) për shkak të hadithit që e përmendëm, që Profeti ﷺ ka thënë: “Namazi i natës është dy nga dy...”

Kurse, sa i përket vitrit, nëse falet në tri rekate, atëherë për të ka dy forma:

E para është: të japë selam pas dy rekateve e pastaj ta falë të tretin;

Dhe forma e dytë është: t’i falë të tri rekatet me rend (pa ndërprerje) me vetëm një teshehhud dhe me një dhënie selami.

Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: 48 pyetje për agjërimin
Përkthimi: Blerand Grubi

t.me/essunneh
Zbritja e Kuranit

Kurani, për herë të parë kur i ka zbritur të Dërguarit të All-llahut (ﷺ), ka zbritur në Natën e Kadrit në ramazan. All-llahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ (1)

“Ne e kemi zbritur atë në Natën e Kadrit.” [El-Kadr, 1]

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُبَارَكَةٍ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ (3) فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ (4)

“3. Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. 4. Në atë (natë) ndahet çdo punë e urtë (engjëjt e rishkruajnë nga Leuhi Mahfûdh kaderin e një viti) [Ed-Dukhân]

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنْ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe për dallimin (e së vërtetës nga e kota).” [El-Bekara, 185]

Kur filloi t’i zbresë Kurani për herë të parë Profetit (ﷺ), mosha e tij ishte dyzet vjeçare, sipas mendimit të njohur të dijetarëve. Kështu është transmetuar nga Ibën Abbâsi (radijAll-llahu anhumâ), Atâi, Seîd ibnul-Musejjib dhe të tjerë. Dhe kjo është mosha kur arrihet pjekuria, logjika më e përsosur dhe perceptimi më i plotë.

Kurse ai që e zbriti Kuranin nga All-llahu i Lartësuar te Profeti (ﷺ) është Xhibrili, njëri prej engjëjve të afërt dhe fisnikë. All-llahu i Madhëruar ka thënë për Kuranin:

وَإِنَّهُ لَتَنْزِيلُ رَبِّ الْعَالَمِينَ (192) نَزَلَ بِهِ الرُّوحُ الأَمِينُ (193) عَلَى قَلْبِكَ لِتَكُونَ مِنْ الْمُنذِرِينَ (194) بِلِسَانٍ عَرَبِيٍّ مُبِينٍ (195)

“192. Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. 193. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili) 194. në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. 195. E zbriti në gjuhën e qartë arabe.” [Esh-Shu’arâ’]

Xhibrili (alejhis-selâm) ka pasur veti të lëvdueshme e të madhërishme, si: fisnikëria, fuqia, afërsia me All-llahun e Madhëruar, pozita dhe respekti në mes engjëjve të tjerë, besnikëria, bukuria dhe pastërtia... cilësi me të cilat All-llahu e ka bërë kompetent dhe të denjë për të qenë i dërguar i All-llahut që ua kumton shpalljen e Tij të Dërguarve (prej njerëzve). All-llahu i Lartësuar ka thënë:

إِنَّهُ لَقَوْلُ رَسُولٍ كَرِيمٍ (19) ذِي قُوَّةٍ عِنْدَ ذِي الْعَرْشِ مَكِينٍ (20) مُطَاعٍ ثَمَّ أَمِينٍ (21)

“19. se ky (Kuran) është Fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari fisnik, 20. që zotëron fuqi dhe pozitë të lartë te Zoti i Fronit 21. e që është i respektuar atje dhe besnik.” [Et-Tekuîr]

Dhe ka thënë:

عَلَّمَهُ شَدِيدُ الْقُوَى (5) ذُو مِرَّةٍ فَاسْتَوَى (6) وَهُوَ بِالأُفُقِ الأَعْلَى (7)

“5. Atë (shpalljen) ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhibrili), 6. i hatashëm (i bukur), që iu paraqit qartë, 7. në horizontin më të lartë.” [En-Nexhm]

Gjithashtu, All-llahu i Lartësuar ka thënë:

قُلْ نَزَّلَهُ رُوحُ الْقُدُسِ مِنْ رَبِّكَ بِالْحَقِّ لِيُثَبِّتَ الَّذِينَ آمَنُوا وَهُدًى وَبُشْرَى لِلْمُسْلِمِينَ (102)

“Thuaj: “Atë (Kuranin) e ka zbritur Shpirti i Pastër (Xhibrili) nga Zoti yt me të vërtetën, për t’i forcuar ata që besojnë dhe për të qenë udhërrëfyes dhe lajm i mirë për ata që i dorëzohen All-llahut”.” [En-Nahl, 102]

All-llahu i Lartësuar na i ka sqaruar neve cilësitë e Xhibrilit, i cili e zbriti Kuranin prej Tij, dhe kjo tregon për madhështinë e Kuranit dhe përkujdesjen e All-llahut për të, sepse një i madhërishëm nuk dërgohet për tjetër, veçse për çështje të madhërishme.


Autor: Ibën Uthejmin
Burimi: “Usûl fit-tefsîr”, f. 11-12
Përkthimi: Blerand Grubi

https://essunneh.com/zbritja-e-kuranit/